Universiteti Evropian i Tiranes

Ju perket juve?

» Edukimi (7)
»» Universitete (3)
»» Privat (7)

Permbledhje

Bulevardi Gjergj Fishta Nd.70, H.1, Njësia Bashkiake Nr.7 Tirane, Shqiperi 1023

UET u themelua prej një grupi akademikësh, pedagogësh, shqiptarë e të huaj, gazetarë dhe menaxherë me eksperiencë, si në sektorin publik, ashtu edhe në atë privat të arsimit të lartë.

t: shiko telefonin+355 4 2421 806; +355 68 20 16 616

w: http://uet.edu.al

e: info@uet.edu.al

Pershkrimi

Pse të zgjedhësh UET?

1. Staf cilësor pedagogjik
Në UET japin mësim pedagogë me përvojë që kanë kryer studime në perëndim dhe që janë profesionistë me reputacion në fushat e tyre të specializimit. Shumica e tyre ka përvojë të suksesshme profesionale në aplikimin real të disiplinave ku ata japin mësim, çka u jep mundësi që gjatë mësimit jo vetëm të parashtrojnë njohuritë dhe aftësitë e tyre, por edhe të ndajnë me studentët përvojat e tyre konkrete.

2. Program multidisiplinor
Programi në UET thekson njohuritë në fushën përkatëse dhe u jep mundësi studentëve që të fitojnë jo vetëm ekspertizë në degën që kanë zgjedhur, por edhe aftësi të transferueshme që kanë aplikim të gjerë në tregun e punës, si dhe sigurojnë një përgatitje të përgjithshme intelektuale. Programi ka mundësi të gjerë zgjedhjeje, studentët e UET-it mund ta ndërtojnë vetë pothuaj gjysmën e kurrikulës mësimore duke pasur mundësi të specializohen për fusha të ndryshme për të cilat kanë interes si dhe të ndjekin ato lëndë që më së shumti iu ngjallin kuriozitetin dhe iu sfidojnë intelektin.

3. Mësimdhënie interaktive
Ndryshe nga tradita e deritanishme e shkollave lindore që theksojnë riprodhimin e thatë të njohurive, në UET theksohen aftësitë analitike dhe mendimi kritik si dhe nxitet krijimtaria dhe inteligjenca e studentëve. Gjatë mësimit përdoren teknikat dhe metodat më moderne të mësimdhënies, përdoret teknologjia e lartë gjatë leksioneve dhe elementet audio-vizuale. Studentët nxiten për të filtruar vetë informacionin e ofruar nga pedagogët në dispensa të përbëra nga materiale të përzgjedhura duke shmangur përdorimin e vetëm një teksti mësimor.

4. Mundësi për të transferuar studimet
UET inkurajon lëvizshmërinë e akademike. Programi është i ndërtuar sipas Kartës së Bolonjës që e bën të lehtë transferimin e krediteve dhe ndjekjen e mëtejshme të studimeve jashtë vendit. Studentët nxiten dhe ndihmohen që të marrin një pjesë të krediteve të shkollës në universitete të tjera jashtë vendit. UET-I është i angazhuar në bisedime me institucione të ndryshme universitare me emër në perëndim për të organizuar aktivitete të përbashkëta si shkolla verore apo konferenca si dhe për të organizuar programe të shkëmbimit akademik mes studentëve dhe stafit të universiteteve reciproke.

5. Dy diploma për katër vjet
UET ofron edhe mundësinë për të marrë një diplomë të dytë universitare me vetëm një vit tjetër shtesë studimi. Pra, në UET me katër vite studime mund të merren dy diploma. Duke qenë se programi mësimor është fleksibël dhe multidisiplinor bëhet e mundur që cilido student i interesuar që ka përfunduar degën e parë të mund të marrë një diplomë të plotë universitare të dytë të një dege tjetër të ofruar nga universiteti, mjafton që të marrë me sukses rreth 15 lëndë të tjera në një vit të katërt.

6. Bursa
UET-i ndjek një politikë të tarifave, e cila orientohet dhe inkurajon studentët e shkëlqyer. Studentët që kanë një mesatare mbi 9.2 përfitojnë përkatësisht 20 % ulje në tarifën e shkollimit, dhe mbi 9.5 përfitojnë 30 % ulje për tarifën e shkollimit. Në përputhje me rezultatet e vitit paraardhës, UET-i çdo vit jep 10 bursa për studentët me të mirë të UET-it. Ato quhen “bursat e ekselencës”. Ju mund të jeni potencialisht ndër 10 më të mirët, ndaj përpjekja juaj për të mësuar sa më mirë, inkurajohet që në shkollë. Në ushtrim të përgjegjësisë së tij sociale, UET-i jep gjithashtu disa bursa të tjera në ndihmë të kategorive shoqërore në nevojë. Për bursat aplikohet pranë rektoratit dhe përgjigjja jepet rast pas rasti me vendim të Administratorit të Universitetit. Gjithashtu në kuadër të rritjes së cilësisë akademike është parashikuar krijimi i një fondi të veçantë bursash për të mbuluar shpenzimet e pjesëmarrjes në konferenca, trajnime apo shkolla verore të studentëve dhe stafit akademik.

7. Mundësi për punësim
UET-i i kushton një vëmendje të veçantë aftësimit praktik të studentëve, pasi përveç komponentit teorik dhe njohurive që do të ofrohen, studentët do të kenë mundësi të aftësohen në një seri aspektesh profesionale si shkrimi akademik, metodat e kërkimit apo e folura publike. Këto lëndë u ofrojnë studentëve aftësi të çmuara për më shumë mundësi të vlefshme karriere. Përveç lëndëve praktike komponent thelbësor i shkollës është edhe internshipi ose praktika, për të cilin stafi i UET-it merret me detajet logjistike dhe kontaktet. Për më shumë shih Guidën e karrierës.

8. Jetë e gjallë studentore
Studentët e UET-it jo vetëm janë subjekt i shkollës, por edhe pjesë drejtuese e saj pasi universiteti i ka lënë hapësirë në organet drejtuese të shkollës qeverisë studentore, e cila është një organ i vetëqeverisur nga studentët. Në universitetin tonë, studentët inkurajohen dhe ndihmohen që të përfshihen në sa më shumë aktivitete jashtë-shkollore jo vetëm nëpërmjet internshipeve që shkolla u siguron në institucione, organizata apo firma private, por edhe nëpërmjet shoqatave studentore për interesa të ndryshme sociale, politike, artistike dhe kulturore. Kështu studentët ndihmohen për të krijuar klub debati, shoqatë letërsie, kinemaje si dhe ndihmohen për t’u lidhur me organizata ndërkombëtare si Amnesty International, Greenpeace, Pugëash, JEF, ELSA, ISIL etj. Për këto aktivitete universiteti ndihmon me kontakte që ka stafi, me vënien në përdorim të ambienteve të universitetit si dhe fonde financiare. Tashmë, janë krijuar disa skuadra mini-futbolli në bazë të degëve përkatëse. Studentët organizojnë party ose udhëtime të ndryshme brenda ose jashtë vendit.

9. Infrastrukturë moderne-shërbime lehtësuese
UET ka 22 salla mësimore nga të cilat, dy laboratorë (informatike dhe multimediale), bibliotekë, librari, një sallë interneti me kapacitet 80 vende pune dhe një qendër fotokopjimi. Të gjitha auditoret janë të pajisura me projektorë, foni dixhitale dhe kanë sistem ajrimi qendror. UET-i siguron një sere shërbimesh ndihmëse si bar, restorant, fast-food, lulishten etj. Universiteti dhe shërbimet akademike e ndihmëse funksionojnë nga e hëna deri të premten, nga ora 09.00 e mëngjesit deri në 21.00 të mbrëmjes, kurse të shtunave deri në orën 17.00. Në mjedisin përreth godinës ofrohet parkim me kapacitet 140 makina, stola dhe sipërfaqe e gjelbër. UET është lidhur me disa agjenci imobiliare për të marrë me qira disa apartamente cilësore në zona të preferueshme të Tiranës dhe për t’i përshtatur ato për akomodimin e studentëve të cilët do të kenë një dhomë-studio personale dhe do të ndajnë kuzhinën dhe dhomën e ndenies me studentë të tjerë. Kjo mundësi do t’u ofrohet për një çmim ekstra studentëve që vijnë nga jashtë Tiranës dhe që nuk kanë mundësi të gjejnë vetë akomodim.

10. Mjedis i gjallë intelektual
UET përveçse si një shkollë elitare mësimdhënieje dhe kërkimi shkencor, është edhe një mjedis i gjallë intelektual. Për këtë arsye, organizohen prezantime mbi kërkime shkencore nga stafi dhe nga akademikë me reputacion, prezantime dhe biseda me të ftuar që janë profesionistë të shquar, liderë të suksesshëm, dëshmitarë të momenteve apo ngjarjeve të rëndësishme historike, njerëz të rëndësishëm publik të politikës, diplomacisë, medias dhe artit. Ambientet e UET janë gjithashtu të hapura për ekspozita, koncerte apo shfaqje të tjera artistike si dhe aktivitete të organizatave të tjera.

Themeluesit

PROF. DR. FERIT DUKA
Mbërritja e Universitetit Europian të Tiranës në këtë ditë të shënuar kur ai po i ofron shoqërisë produktin e parë, të dalë nga aulat e tij, pa dyshim që entuziazmon e lumturon jo vetëm studentët që sot po marrin në duar diplomën universitare, por gjithkënd që në një mënyrë ose në një tjetër ka lidhje me aventurën e themelimit, të zhvillimit dhe të konsolidimit të këtij institucioni. Duke qenë rektor i parë i këtij universiteti, një moment si ky i sotmi tek unë shkakton emocione të forta aq më tepër që i kam ende të freskëta në kujtesë takimet dhe bisedat e bëra këtu e tre vjet më parë me djemtë nismëtarë të këtij projekti, Henrin, Ermalin, Blendin dhe Adrin.
Në të vërtetë, kurrë nuk më kishte shkuar ndër mend që gjatë një kafeje që po pinim te “Tajvani”, me kolegun Çili, një pasdite vere, ky i fundit do të më bënte të njohur idenë për themelimin e një universiteti! I gjendur përballë një njoftimi të tillë shokues, me vete thashë: Mos është thjesht ndonjë ëndërrim rinor që miku im ka dëshirë ta artikulojë edhe për lezet të bisedës së tavolinës?! Mirëpo bashkëbiseduesi im avancoi shpejt në shtjellimin e idesë së grupit që ai përfaqësonte, duke më bindur se ishte fjala për një projekt serioz, garanci për të cilin ishin dy gjëra themelore: kthjelltësia e vizionit si dhe vendosmëria e përkushtimi për ta jetësuar atë sa më shpejt. Me gjithë habinë e fillimit, deri këtu biseda ishte në një farë kuptimi “komode” për mua, sepse në fund të fundit, unë thjesht u njoha me projektin, por të tjerë do të ishin ata që do të përballonin sfidat e rënda të realizimit të tij. Këtë situatë e “trazoi” propozimi që më erdhi, po nga Çili, në emër të nismëtarëve për të qenë rektor i universitetit që po lindte. Që të jem i sinqertë kjo shkaktoi jo pak emocione, pse jo edhe luhatje e pasiguri tek unë. Megjithatë, besimi te kolegët e mi themelues, besimi te vetja, më shtynë ta pranoj këtë sfidë dhe të përfshihem në një aventurë e cila në saje të punës plot pasion e këmbëngulje të të gjithë stafit akademik e administrativ rezultoi tërësisht e suksesshme.

DR. ERMAL HASIMJA
Një ditë të bukur dimri të vitit 2005, pasi planet tona për të ndryshuar botën nuk funksionuan, bashkë me një grup pedagogësh, vendosëm të krijojmë një universitet privat. Një universitet që të funksiononte me parimet e shkollave që kishim mbaruar në perëndim. Një universitet ku detyra kryesore e pedagogut është ta bëjë veten të panevojshëm për studentin. Një universitet ku pedagogu nuk është as profet, as kolonel, as prind, por një udhërrëfyes, që mbi të gjitha duhet marrë me rezervë. Një universitet ku nuk mësohet e vërteta, por kultivohet dyshimi, kureshtja dhe pasioni për dijen.Në fillim, disa nga miqtë tanë na panë me çudi, disa të tjerë u tërhoqën rrugës (por tani një pjesë e tyre kanë kthyer mendje), disa madje edhe krijuan barcaleta miqësore në të cilat ne ishim personazhet kryesore. Diçka që më ka mbetur në mend e kthjellët është dita e hyrjes në zyrat tona të para, teksa montoheshin tryezat dhe karriget. Në atë cast, nuk mund të mos i bëja vetes pyetjen dramatike: “More, seriozisht e kemi ne që duam të krijojmë një universitet?”. Ne natyrisht që e kishim seriozisht dhe me sa duket, edhe 170 studentët tanë të parë na morën shumë seriozisht. Meqenëse momentet e para janë më të rëndësishme, i kam fiksuar edhe më mirë. Kam fiksuar për shembull, personin e parë që erdhi në zyrën time: një zotëri 70-vjeçar me dëgjim relativisht të dobët, i cili pas 20 minutash shpjegim intensiv e kuptoi se nuk ishim zyra e siglimit të certifikatave të lindjes në Ministrinë e Jashtme. Pas këtij emocioni të parë ekstraakademik, erdhi një djalë i ri, i cili pyeti nëse kishim degën e veterinarisë dhe pas marrjes së përgjigjes u largua, duke marrë me vete edhe celularin tim dhe të Blertës. i treti.... i treti, ishte njëri prej jush, i katërti, i pesti dhe gjithë të tjerët, gjithashtu. Megjithatë nuk ishin thjesht numra në listë. Ishin bashkudhëtarët tanë në aventurën që kishim nisur. Për këtë arsye, do të më mbeten fort në kujtesë imazhe të bukura nga udhëtimi ynë i përbashkët 3-vjeçar: ankesat e palodhshme të Adrianit për notat në provime, buzëqeshja e çuditur e Enedës në ditëlindjen e saj, komentet plot me ironi dashamirëse të Anjezës, gjithë rastet për gol që ka humbur Maringleni në calcetto, breshëritë me pyetje në leksion të Norës, por edhe imazhet e kolegëve tanë të administratës. Me kalimin e viteve, një pjesë e këtyre imazheve ndoshta do të bëhen më të turbullta. Megjithatë, në thelb, ajo që nuk fshihet dot është një ndjesi që unë besoj se e ndaj me të gjithë ata që themeluan këtë universitet: ndjesia se këta 3 vjet ishin ndoshta më të bukurit e jetës sonë si pedagogë.

BLENDI KAJSIU
Ndër themeluesit mendoj se kam qenë më skeptiku në lidhje me suksesin e Universitetit Europian të Tiranës. Dhe s’kish si të isha ndryshe; ne ishim pesë djem “të vegjël”, Henri, Laerti, Ermali, Adri dhe Blendi që thurnim një ëndërr, që zmadhohej përgjatë çdo bisede. Sepse secili prej nesh tërhiqte njërin cep të saj. Henri me Laertin dëshironin që në fillim të shtonin dy fakultete të reja, përveç atij të Shkencave Sociale, Juridikun dhe Ekonomikun. Adri fliste pa fund për të krijuar një mega-biblotekë të standardeve ndërkombëtare që do ishte e lidhur me literaturë që nga Oksfordi deri tek Kembrixh, dhe nga ku studentët do futeshin tek të gjitha revistat shkencore në botë. Ermali mendonte për programe të përbashkëta universitare dhe pasuniversitare me universitete prestigjoze në Francë dhe në Europë.
Unë mendoja futjen e mendimit dhe aftësimit kritik në mësimdhënie në mënyrë që studentët tanë ta shikonin, analizonin, kuptonin dhe ndryshonin botën me një vështrim. Ndërsa të gjithë së bashku pa pikë turpi mendonim se thjesht do të ndërtonim universitetin më të mirë në Shqipëri. Dhe të gjitha këto thuheshin pa filluar ende zbatimi i UET në praktikë. Ja pra pse isha skeptik kur dëgjoja miqtë e mi që zhvillonin ëndrrën tonë të përbashkët tre vite më parë. Sot, tre vjet më vonë, e shikoj se skepticizmi im ishte i tepruar. Natyrisht ne sot ende nuk kemi një megabiblotekë të lidhur me të gjitha biblotekat e botës, por megjithatë kemi një biblotekë mjaft të mirë që edhe pse ende nuk përmbush ëndrrën e Adrit plotëson nevojat e studentëve. Natyrisht ende sot nuk besoj se UET ka diplomuar studentë që me një vështrim analizojnë, kuptojnë dhe ndryshojnë botën. E megjithatë, jam i bindur se studentët tanë të diplomuar e shohin, e kuptojnë dhe e përballojnë botën shumë më mirë sot se tre vjet më parë. Vërtet ata nuk do ta kritikojnë dhe nuk do ndryshojnë botën me një vështrim, por me siguri me dy, tre apo katër. Sot UET po ndërton programe të përbashkëta pasuniversitare me universitetet nga më prestigjozët në Francë dhe Angli. Sot UET ka edhe Fakultetin Juridik edhe Fakultetin Ekonomik, siç e kërkonin me aq insistim Henri dhe Laerti dje, me të cilët realisht mund të krenohet. Mbi të gjitha, sot në Shqipëri është e vështirë të gjesh ndonjë universitet më të mirë sesa UET. Sfida e së ardhmes është që jo vetëm të mbetet i tillë, por të tejkalojë vetveten, në mënyrë që të mos ngecë tek krahasimi me të tjerët rrotull tij. Prandaj sot nuk më mbetet tjetër veçse të bëhem skeptik në lidhje zhvillimin e ardhshëm të UET.

LAERT DURAJ
Ata nuk ishin 4, në fakt ishin 6! Për hir të së vërtetës, ëndrra e krijimit të universitetit ishte e tyre, por veç Grupit 4-shja Liberale, bashkëthemelues të Universiteti Europian të Tiranës ishte Robert Rakipllari dhe unë. Ashtu si thashë në fillim, ëndrra ishte e grupit të liberalëve. Pasi përpjekjet për krijmin e Universitetit Publik “Tirana 2” nuk patën sukses, atëherë vendosën që idetë e tyre për një alternativë të ndryshme në fushën e arsimit të lartë t’i konkretizonin në një universitet privat, meqënëse tashmë ishin pjekur të tëra kushtet. Kështu lindi Universiteti Europian i Tiranës. Të gjithë e dimë që shumë pak ëndrra bëhen realitet, aq më tepër ëndrra për krijimin e një universiteti, pasi, me gjithë impenjimin e dëshirën, është shumë e vështirë koordinimi i të gjitha gjërave, akademike, administrative etj.
Pikërisht në këtë pikë, në koordinimin, organizimin dhe vënien e gjërave në lëvizje, ishim edhe ne të dy, Berti dhe unë: Berti me përvojën disavjeçare në fushën e gazetarisë dhe unë me përvojën në fushën e administrimit. Nuk dua të zgjatem se çfarë bëri njëri apo tjetri, tashmë Ju e njihni Universitetin Europian të Tiranës, por ndryshe nga kolegët e tjerë më duhet të sqaroj se për mua marrja pjesë në një nismë të tillë asnjëherë nuk është parë si aventurë; kjo sepse unë kam pasur një besim absolut në aftësitë e këtij grupi për realizimin e një ndërrmarrjeje në fushën edukimit, si dhe nisur nga fakti që tregu ofronte të gjitha të dhënat që nisma jonë do të ecte. Për shembull, pavarësisht hapjes së universiteteve të ndryshme në sektorin publik, një përqindje e madhe e maturantëve dhe sot do të mbeteshin pa shkollë, nëse alternativa e vetme do të qe sektori publik. Falë besimit të grupit unë jam krenar që në cilësinë time si Kancelar i Universitetit Europian të Tiranës kam përfaqësuar Universitetin në çdo lloj kontrate: që nga kontrata e studentit të parë të Universitetit, e cila quhej Vera Musmuça, një vajzë nga Elbasani, që u regjistrua në Marrëdhënie Publike dhe Komunikim deri te kontratat më të fundit për zgjerimin e mëtejshëm të ambienteve të Universitetit. Tani, pas 3 vjetësh jam i lumtur të shoh se nisma jonë është një sukses i padiskutueshëm jo vetëm në aspektin akademik, po dhe në atë manaxherial. Sekreti i këtij suksesi përveç aftësive të spikatura të stafit, është besimi reciprok te nisma dhe te njëri-tjetri. Do të doja të falënderoja shumë shumë njerëz që na kanë ndihmuar në rrugën tonë, por lista është e gjatë. Megjithatë, nuk mund të rri pa përmendur dhe falënderuar Diana Bibën, juristen e parë, e cila na asistoi nga ana ligjore në ngritjen e Universitetit, Alida Goxharajn, së cilës i besuam Financat, dhe Elda Papën, Sekretaren tonë të parë të Përgjithshme të Universitetit. Dua t’ju përshendes dhe t’ju falënderoj përsëri të gjithëve dhe uroj që herën tjetër të ndaj me Ju listën e gjatë të studentëve të Universitetit Europian të Tiranës të cilët na përfaqësojnë denjësisht në tregun e punës.

ROBERT RAKIPLLARI
Për shkak të dozës së lartë të skepticizmit në lidhje me suksesin financiar të një Universiteti, pata zgjedhur në krye të herës të qëndroj në paskuintën e sendërtimit të ëndrrës së përbashkët. Asgjë nuk ndryshon në pozicionin tim prej të tërhequri në këtë sipërmarrje as pas kësaj kolone vetëzbulimi. Kjo edhe për arsyen se, ndryshe nga pjesëtarët e tjerë të grupit, unë nuk kam zgjedhur të vetëpunësohem në UET apo të vijoj karrierë akademike aty. Pa u identifikuar me të, ndihem megjithatë plotësisht pjesë e suksesit të tij të parë, në të cilin kam kontribuar dhe investuar pa rezerva energjitë e mia profesionale dhe menaxheriale. Kam ndarë të gjitha emocionet dhe vështirësitë e kësaj sipërmarrje frymëzuese dhe vijoj të jem i pranishëm në çdo hap që UET hedh. Nuk mund ta fsheh më krenarinë për realizimin e një aspirate kaq ambicioze, barrën më të madhe të të cilës e ka mbajtur për hir të së vërtetës Henri Çili, promotori i risive që solli Universiteti Evropian i Tiranës. Më në fund nuk kam më komplekse të vetëdeklarohem themelues i këtij universiteti, pasi jam krenar që kemi ndërtuar një universitet të vërtetë në tregun gjithëfarësh të universiteteve private, ku nuk mungojnë paragjykimet. Arsyet i gjej tek rigoroziteti i lartë akademik dhe efikasiteti menaxherial që ka siguruar suksesin e tij jo vetëm si një sipërmarrje private, por edhe si një logo prestigjioze e arsimit të lartë në Shqipëri.


Partneret

Marrëveshje bashkëpunimi me International University of Vienna
Marrëveshje bashkëpunimi me Universidad Del Mar, Kili
Marreveshje bashkëpunimi me Universitetin e Malit të Zi
Marrëveshje bashkëpunimi me Universitetin e Barit
Marrëveshje bashkëpunimi me Bar-Ilan University, Izrael
Marrëveshje bashkëpunimi me Universitetin Fama në Kosovë
Marrëveshje bashkëpunimi me Universitetin “Riinvest” në Kosovë
Marrëveshje bashkëpunimi me Universitetin e Tiranës
Marrëveshje bashkëpunimi me Universitetin “Luigj Gurakuqi”, Shkodër
Marrëveshje bashkëpunimi me Universitetin e Korçës
Marrëveshje bashkëpunimi me Universitetin Polis
Marrëveshje bashkëpunimi me Universitetin Luarasi
Marrëveshje bashkëpunimi me Akademinë e Filmit dhe Multimedias “Marubi”
Marrëveshje bashkëpunimi me Universitetin Bujqësor të Tiranës
Marrëveshje bashkëpunimi me Aston University (qendra per Europën)
Marrëveshje bashkëpunimi me “SPI Albania”
Marrëveshje bashkëpunimi me Akademinë e Shkencave
Mem. bashkëpunimi UET – Arkivi i Shtetit
Mem. bashkëpunimi UET – Instituti i Medias
Mem. bashkëpunimi UET – Gjykata Kushtetuese
Mem. bashkëpunimi UET – Autoriteti i Mbikqyrjes Financiare
Mem. bashkëpunimi UET – KKRT
Mem. bashkëpunimi UET – Top Channel
Mem. bashkëpunimi UET – RTSH
Mem. bashkëpunimi UET – Instituti i Kurrikulave
Mem. bashkëpunimi UET – Qendra e Studimeve Albanologjike
Mem. bashkëpunimi UET – MPÇSSHB
Mem. bashkëpunimi UET – Instituti i Studimeve Ndërkombëtare
Mem. bashkëpunimi UET – Instituti “Agenda”
Mem. bashkëpunimi UET – Instituti i Studimeve Bashkëkohore
Mem. bashkëpunimi UET – Ministria e Drejtësisë
Mem. bashkëpunimi UET – “Kalo & Associates”
Mem. bashkëpunimi UET – Autoriteti i Konkurencës
Mem. bashkëpunimi UET – Instituti për Demokraci dhe Integrim
Mem. bashkëpunimi UET – Qendra për Zhvillim Ekonomik & Social
Mem. bashkëpunimi UET – Agjencia e Vlerësimit të Arritjeve
Mem. bashkwpunimi UET – INSTAT
Mem. bashkëpunimi UET – Qendra e Studimeve Sociale
Marrëveshje bashkëpunimi me Shoqatën e Siguruesve të Shqipërisë (SH S SH) dhe Institutit të Inxhinierisë Financiare (IFIBI)
(PARSH) Projekti per Arsimimin e te Rriturve ne Shqiperi
Marrëveshje bashkëpunimi me Universitetin “Ca’Foscari” Venecia
Marrëveshje bashkëpunimi me Ministrinë e Drejtësisë

Drejtimi dhe Funksionimi

Bordi i Besimit

Bordi i Besimit është institucioni më i lartë i UET-it, me funksion këshillues, lobues, i cili ka gjithashtu të drejtën e pëlqimit për emërimin e Rektorit. Ky bord përbëhet me personalitete të ndryshme të botës akademike, ekonomike, kulturore, medias, dhe sistemit të drejtësisë etj. UET-i, në traditën e universiteteve të modelit anglo-sakson, synon të jetë pjesë e pandarë e shoqërisë ku jeton, duke qenë jo thjesht një institucion akademik, por edhe një institucion aktiv në jetën shoqërore dhe kulturore të vendit. Përmes afrimit në jetën e universitetit të personaliteteve të ndryshme, me Bordin e Besimit, UET-i synon të vendosë një komunikim me shoqërinë, të presë e të përfshijë ide të reja të mjedisit jashtë UET-it dhe të dërgojë në mjedisin përtej tij ide apo alternativa që burojnë nga aktiviteti akademik. Përmes këtyre “dëshmitarëve” të rëndësishëm, ne synojmë që shoqëria të bindet dhe të garantohet për veprimin e një prej operatorëve në sektorin e edukimit të lartë, që është UET-i.



Senati Akademik

Senati Akademik është organi kryesor vendimmarrës për drejtimin akademik. Ky organ, përbëhet nga 17 anëtarë, më shumë se 2/3 e të cilëve zgjidhen nga trupa akademike, trupa administrative, nga përfaqësues të komitetit të prindërve, nga studentët, që kanë përfaqësuesit e tyre në këtë institucion, ndërsa më pak se 1/3 është pjesë e senatit për shkak të detyrës që mban në momentin e dhënë, si Rektori dhe dekanët. Senati miraton të gjitha rregulloret akademike, hapjen dhe mbylljen e programeve të studimit, formatet metodologjike dhe rregulloret për rregullimin e veprimtarisë akademike në universitet. Po ashtu, senati i propozon Shoqërisë që ka në pronësi universitetin, edhe drejtimet e reja të zhvillimit, programet e reja apo e konsulton me të strategjinë e zhvillimit të institucionit. Senati fton anëtarë të jashtëm nderi, personalitete nga fusha të ndryshme që lidhen me progamet e tij të studimit, duke kërkuar mendimin dhe konsulencën e tyre për vendimmarrjet e tij gjatë vitit akademik.



Anëtarët e Bordit të Besimit (2006 - 2010)

ANDI BUSHATI, gazetar / ARIANA FULLANI, Gjykata e Lartë / ARTAN DULAKU, biznesmen / ARTUR ZHEJI, gazetar / AURELA ANASTASI, juriste / ARTAN SANTO, drejtor i Bankës Credins / BASHKIM GJERGJI, pedagog UT / BRISEDA MEMA, gazetare AFP / DELINA FICO, aktiviste e shoqërisë civile / EDVIN LIBOHOVA, bankier / FATMIR BRAKA, avokat / ISMAIL KADARE, shkrimtar / MIMOZA DERVISHI, gazetare / NAJADA HAMZA, piktore, pedagoge AA / NEVILA NIKA, drejtoreshë e Arkivit të Shtetit / PËRPARIM KALO, jurist / RUDINA XHUNGA, gazetare / REMZI LANI, Instituti i Medias / SOKOL BALLA, gazetar / THIMIO KONDI, ish kryetar i Gjykatës së Lartë / XHEZAIR ZAGANJORI, Gjykata Kushtetuese / ZAMIR MANE, biznesmen



Anëtarë Nderi të Senatit Akademik (2006 - 2010)

XHEZAIR ZAGANJORI, Gjykata Kushtetuese / ORFEA DHUCI, bankier / SHPRESA BEÇAJ, kryetare e Gjykatës së Lartë / ZEF PREÇI, ekonomist / FATOS BRAHIMI, zëvendësguvernator i BSH / HALIM ISLAMI, jurist



Bordi i Parë i Besimit i UET (2006 -2007)

Kryetar: SOKOL BALLA, gazetar / REMZI LANI, Instituti i Medias / ARTAN SANTO, drejtor i Bankës Credins / BASHKIM GJERGJI, pedagog UT / AURELA ANASTASI, juriste / BRISEDA MEMA, gazetare AFP / NEVILA NIKA, drejtoreshë e Arkivit të Shtetit

Historiku

Pse lindi UET?
UET u themelua prej një grupi akademikësh, pedagogësh, shqiptarë e të huaj, gazetarë dhe menaxherë me eksperiencë, si në sektorin publik, ashtu edhe në atë privat të arsimit të lartë. Kjo nismë nuk u nxit vetëm prej kërkesës së tregut, por edhe prej dëshirës për të ndërtuar një institucion arsimor cilësor, që do të ofronte një model edukimi alternativ e bashkëkohor, ndryshe nga modelet tradicionale ekzistuese si përgjigje të kërkesave të tregut e të kohës që jetojmë. Kombinimi i dijeve teorike me aftësi konkrete, si dhe aftësia për t’i zbatuar ato, janë bazat e filozofisë mbi të cilën funksionon UET-i. Ata që diplomohen te ne janë të aftë të përshtaten, të orientohen dhe të kenë sukses në dinamikat komplekse të tregut të punës. Universiteti Europian i Tiranës nuk është një oaz ose kullë e fildishtë e izoluar nga përditshmëria politike, ekonomike, mediatike ose ligjore. Përkundrazi, ky universitet synon të analizojë, të bëjë kërkime dhe t’i orientojë sa më mirë studentët e tij në këtë përditshmëri. Për këtë qëllim, studentët pajisen me një sërë aftësish konkrete, si mendimi analitik i shkruar dhe i shprehur, si në shqip, ashtu edhe në anglisht. Nga ana tjetër, ata bëhen të aftë të përdorin një sërë instrumentesh teorike për të abstraguar, analizuar dhe arsyetuar në mënyrë të pavarur mbi dukuritë komplekse që na rrethojnë.

Licencimi
Programet e ciklit të parë të UET-it, u licencuan me Vendim të Këshillit të Ministrave Nr. 636, datë 20.09.2006. Në vitet e mëpasme u licensuan programet e reja të studimeve të ciklit të dytë dhe të tretë, duke kompletuar kështu ciklin e plotë të studimeve në Universitetin Europian të Tiranës. Bashkë me vendimin e Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë për hapjen e programeve të ciklit të tretë, nr. 796, datë 22.07.2009, UET-i, nga “Shkollë e Lartë Universitare” u strukturua në “UNIVERSITET”. Tani ai ka strukturën e plotë juridike si institucion i arsimit të lartë në Shqipëri.

Akreditimi i parë
Universiteti Europian i Tiranës është I AKREDITUAR institucionalisht dhe ka të akredituara programet e para të studimit që në muajin korrik të vitit 2009, me Vendim të Këshillit të Akreditimit, nr. 24, datë 19.07.2009, pasuar nga urdhri përkatës i Ministrit të Arsimit nr. 246, datë 24.07.2009.

Diplomimet e para
UET, tre vjet nga hapja e tij, në korrik 2009, dha Diplomat e para: Diplomë e Nivelit të Parë në Juridik i Përgjithshëm, në Shkenca Politike, në Marrëdhënie Ndërkombëtare dhe në Marrëdhënie Publike - Komunikim. Në korrik 2010 UET diplomoi edhe brezin e parë të studentëve të Fakultetit Ekonomik: Diplomë e Nivelit të Parë në Financë - Bankë dhe në Menaxhim Biznesi.
Bazuar në ndryshimet në ligjin e Arsimit të Lartë, nr. 10307, datë 22.7.2010, të gjitha këto diploma janë ekuivalente me Diplomën BACHELOR në Juridik i Përgjithshëm, në Marrëdhënie Publike - Komunikim, në Shkenca Politike, në Marrëdhënie Ndërkombëtare, në Financë - Bankë dhe në Menaxhim Biznesi.
Diplomat janë të regjistruara në Regjistrin Shtetëror të Diplomave me urdhër të Ministrit të Arsimit dhe Shkencës, nr. 314, datë 05.10.2009.
UET vijon me diplomimet e radhës dhe në ciklet e tjera të studimit.

FAKULTETET

Fakulteti Ekonomik
Fakulteti Ekonomik synon të përgatisë studentë në fushën e shkencave ekonomike, financiare, menaxhimit te biznesit dhe administrimit publik. Duke ruajtur filozofinë dhe objektivat themelorë të UET-it, programi është ndërtuar mbi bazën e kombinimit të njohurive teorike me ato praktike, me synim kryesor përgatitjen cilësore të studentëve në përputhje me kërkesat dhe tendencat e tregut të punës. Rëndësi e veçantë i jepet formimit të përgjithshëm ekonomik e financiar të studentëve me teoritë dhe praktikat më të mira bashkëkohore në fushën e ekonomisë, financave, bankave, shoqërive të sigurimit, biznesit, administrimit publik në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar. Hartimi i programit dhe i programeve mësimore krijon mundësi të gjëra për çdo student/e. Fakulteti është organizuar tërësisht në përputhje me kriteret e Kartës Bolonjës me sistemin 3 + 2, ku në fillim është përgatitur organizimi i kurseve të ciklit të parë 3-vjeçar dhe më pas organizimi i kurseve të ciklit të dytë 2-vjeçar.

Fakulteti i Shkencave Sociale
Fakulteti i Shkencave Sociale synon të përgatisë studentë në fushën e shkencave politike dhe të marrëdhënieve ndërkombëtare, në gazetari dhe në marrëdhëniet me publikun. Programi i këtij fakulteti është ndërtuar duke kombinuar konceptet bazë teorike me ato praktike, në mënyrë që studentët të orientohen lehtë në tregun e punës. Në këtë fakultet i është dhënë një rëndësi e veçantë dimensionit të shkrimit akademik dhe mendimit kritik. Lëndët do të zhvillohen në klasa të vogla dhe ndërvepruese. Vlerësimi i studentëve nuk bëhet vetëm në fund, por gjatë gjithë semestrit.
Mësimdhënia nuk do të përqendrohet vetëm tek tekstet klasike, por edhe tek kërkimet e bëra nga vetë pedagogët. Pjesa më e madhe e pedagogëve tanë janë të shkolluar në universitetet më në zë të Perëndimit. Një student duhet të përmbushë 180 kredite mësimore që të diplomohet në njërën prej katër degëve që ofron ky fakultet. Ky fakultet është i organizuar sipas sistemit të studimeve të Bolonjës me sistemin (3+2).

Fakulteti Juridik
Ndryshe nga koncepti tradicional shqiptar, që e shikon edukimin në sferën e drejtësisë si edukim ekskluzivisht juridik, filozofia e Universitetit Europian të Tiranës është ndërthurja e programit të Fakultetit Juridik me programin mësimor të UET-it. Në këtë mënyrë synohet që të shmanget ngushtimi i horizontit arsimor të studentit vetëm në lëndë juridike, të cilit do t’i bashkëngjiten lëndë ose koncepte ndihmëse të shkencave sociale që e aftësojnë një jurist të gjykojë më mirë, të mendojë në mënyrë analitike ose të abstragojë në nivelin konceptual dhe teorik. Kjo mënyrë e konceptimit të formimit të juristëve në fakultetin juridik të UET, nuk cenon aspak përgatitjen e juristëve të aftë, sepse programet akademike në këtë fakultet u kushtojnë një rëndësi të veçantë lëndëve themelore për formimin profesional. Programet u lejojnë studentëve që brenda formimit të përgjithshëm juridik të kenë mundësi të përqendrohen edhe në profile të caktuara, çka i paraprin një specializimi që ata mund të marrin në të ardhmen. Për këtë qëllim, brenda programit të përgjithshëm ekzistojnë profilet e biznesit, ai i së drejtës publike dhe kushtetuese dhe ai i së drejtës europiane dhe ndërkombëtare. Ky fakultet është i organizuar sipas sistemit të studimeve të Bolonjës 3 + 2.

Kriteret e pranimit:

BA/ Kriteret e Pranimit
Në programet e studimit të ciklit të parë Bachelor (BA) pranohen për t’u regjistruar shtetasit shqiptarë ose të huaj që plotësojnë këto kushte:
a) vërtetojnë me dokument zyrtar mbarimin e shkollës së mesme në Shqipëri ose jashtë shtetit (ekuivalentuar sipas kritereve të përcaktuara nga Ministria e Arsimit dhe e Shkencës e Republikës së Shqipërisë, MASH);
b) kryejnë pagimin e tarifës së caktuar vjetore dhe/ose totale sipas kushteve dhe përcaktimeve të kontratës përkatëse mes UET-it dhe studentit;
c) dorëzojnë dokumentet e nevojshme për lidhjen e kontratës mes tij dhe UET-it.

MSH/ Kriteret e Pranimit
PARIMET E PRANIMIT TË STUDENTËVE
Programet e ciklit të dytë, të studimeve në UET, MASTER SHKENCOR synojnë që të angazhojnë studentët në sfidën e përbashkët të thellimit të dijeve. Për këtë, ne kërkojmë studentë me aftësi akademike që dëshirojnë të angazhohen seriozisht në projekte studimi individuale ose grupi, për të arritur së bashku krijimin e një mjedisi intelektual ku mësohet, debatohet dhe lindin ide të reja zhvillimi. Ne inkurajojmë për të aplikuar edhe studentë që kanë kryer studime universitare të nivelit të parë në fusha të tjera nga ato të propozuara për nivelin e dytë në UET, ku inkurajohet jo thjesht vijimi vertikal i studimeve por dhe ai horizontal; pra vijimi i studimeve në ciklin e dytë në program tjetër studimesh, të ndryshëm nga cikli i parë.

KRITERET E PRANIMIT
Në mënyrë që të pranohen në MASTE

Galeria e Fotove

Universiteti Evropian i Tiranes

Video

Vleresimet

Per te kontaktuar me ne, lutemi plotesoni formularin e meposhtem.




Lutemi shkruani ne kutine e tekstit me poshte permbajtjen qe shikoni ne foton majtas. Kjo eshte nje mase sigurie per te parandaluar dergimet automatike.

*Verification Code image cannot be displayed